Kolumna nga Kaltërina LatifiBashkëkombës, çlirohuni, më në fund, nga mendësia e prapambetur!
Unë jam një grua me prejardhje kosovare. Por unë nuk mendoj se përcaktimi im primar janë martesa dhe lindja.
Die deutsche Version finden Sie hier.
Versionin në gjuhën gjermane e gjeni këtu.
Prejardhja shqiptare. Sa më tërheq po aq më largon. Gjatë gjithë jetës jam përpjekur t’i qasem prejardhjes sime dhe njerëzve që jetojnë atje, por, megjithatë, nganjëherë s’kam mundur ndryshe përveçse rreptësisht të heq dorë; sa shpesh i kam mallkuar rrënjët e mia shqiptare, kohë pas kohe i kam mohuar për të mos rënë në sy. E kam quajtur veten Tina, që askush të mos bëjë pyetje. Jo për shkak se aq shumë doja të isha «vetëm zvicerane», por sepse para së gjithash nuk doja të konsiderohesha «shqiptare».
Pse? Çfarë kam perceptuar – drejtpërdrejt apo tërthorazi – qëkur kam qenë e vogël, më ka ngjall përherë neveri: traditat e vjetra që karakterizojnë identitetin shqiptar, të cilat edhe më tutje kultivohen fshehtas edhe nga shqiptarët gjoja të iluminuar dhe liberalë në diasporë; për shembull: që me çdo çmim u dashka të martohesh dhe të kesh fëmijë. Nuk dua të keqkuptohem. Nuk ka asgjë të keqe t’i dëshirosh të dyjat, shumica e njerëzve i duan, edhe në Zvicër. Por kur martesa dhe lindja përcaktojnë si imperativ kategorik qëllimin jetësor sociokulturor të një etnie të tërë, kjo është, sipas meje, një ndërhyrje fatale në të drejtën e individit për të vendosur vetë për jetën e tij.
Kur vizitoj familjen në atdheun tim të mëhershëm, askush prej tyre nuk di si të sillet me mua, një grua gati dyzetvjeçare pa burrë e fëmijë.
Sidoqoftë, unë jam grua e shkolluar, madje kam edhe titull doktori; ndaj një gruaje të tillë nganjëherë tregohet mirëkuptim me zemërgjerësi. Por seriozisht s’mund të më marrë askush. Kur dikush më prezanton, pyetja e parë që më bëhet është: sa fëmijë i ke? Kur them asnjë, kush s’më shikon me sy. Ndoshta për dikë nuk është befasi që njerëzit në Kosovë sillen kështu. Por duket se edhe komuniteti shqiptar që jeton në Zvicër nuk është çliruar seriozisht nga këto mentalitete.
Së fundi sërish i përjetova prangat tradicionaliste, të cilat besoja se i kam këputur sa i përket vetes sime. Vizitova rrethin e ngushtë familjar në Bern. Ndërsa po rrinim bashkë, ra llafi se një kushërirë e dytë, e cila jeton një Gjermani, paskësh gjetur «një burrë» për mua; i bukur, 43-vjeçar, avokat, natyrisht shqiptar. Të gjithë qeshën, ndërsa unë u skuqa e turpëruar dhe u xhindosa në vetvete. Nuk kisha qenë e vetëdijshme se jam duke kërkuar burrë. Me gjasë në komunitet përhapen llafet kur fëmijët e rritur mbesin të pamartuar. Atëherë krejt fisi mund të angazhohet! Ndonëse të gjithë u sollën thua se ky hap i parë drejt një martese të aranzhuar ishte vetëm një shaka, për një çast m’u duk sikur të gjithë në heshtje po shpresonin se unë do të them: po.
Por unë nuk thashë asgjë dhe në vend të kësaj vendosa që menjëherë ta quaj veten përsëri Tina.
Kaltërina Latifi është kolumniste e revistës së përjavshme zvicerane «Das Magazin», studiuese zvicerane e letërsisë dhe eseiste me origjinë kosovare.
Fehler gefunden?Jetzt melden.